SHBA po shqyrton mundësinë e vendosjes së forcave ndërkombëtare në Gaza?

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se SHBA po shqyrton mënyra për të vendosur forca ndërkombëtare në Gaza, ndoshta nën një mandat të OKB-së, dhe shpresojnë që së shpejti të krijojnë një forcë për të ruajtur armëpushimin në Gaza.
“Disa nga këto vende nuk mund të marrin pjesë nëse nuk kanë një mandat nga OKB-ja”, tha Rubio
“Pra, ndoshta do të jetë një rezolutë e OKB-së; kjo është një rrugë. Mund të kemi edhe një marrëveshje ndërkombëtare. Po punojmë për këtë. Do të gjejmë formulën e duhur për ta bërë këtë. Ndoshta OKB-ja”, shtoi ai.
Rubio vizitoi Izraelin menjëherë pas vizitës së zëvendëspresidentit JD Vance, si pjesë e një përpjekjeje të gjithanshme nga SHBA për të mbrojtur armëpushimin, duke përfshirë parandalimin e sulmeve nga Izraeli në Gaza.
Ai paralajmëroi për projektligjet izraelite për të aneksuar Bregun Perëndimor të pushtuar, duke thënë se “është një kërcënim për procesin e paqes”.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së shprehu besim në ruajtjen dhe zgjerimin e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, gjatë takimit me Netanyahun të enjten.
Ndryshe, vizita e tij vjen menjëherë pasi Vance përfundoi një vizitë tre-ditore në Izrael, gjatë së cilës ai zhvilloi bisedime me Netanyahun dhe zyrtarë izraelitë.