Shkencëtarët krijuan “veshkën universale”: mund të pranohet nga çdo pacient

Një ekip studiuesish nga Kanadaja dhe Kina ka arritur të krijojë një “veshkë universale”, e cila teorikisht mund të pranohet nga çdo pacient
Ky organ eksperimental i veshkës mbijetoi dhe funksionoi për disa ditë në trupin e një marrësi që ndodhej në gjendje vdekjeje truri, familja e të cilit kishte dhënë pëlqimin për pjesëmarrje në studim, sipas një kërkimi të botuar në revistën Nature Biomedical Engineering dhe të përcjellë nga Science Alert.
Aktualisht, njerëzit me grup gjaku O që kanë nevojë për transplant të veshkës zakonisht duhet të presin derisa të gjendet një organ nga një dhurues me të njëjtin grup gjaku. Kjo përbën më shumë se gjysmën e pacientëve në listat e pritjes, por pasi veshkat me grupin O mund të funksionojnë edhe te njerëzit me grupe të tjera gjaku, ato janë në sasi të kufizuar. Edhe pse sot është e mundur të transplantohet një veshkë me grup gjaku të ndryshëm duke “mësuar” sistemin imunitar të mos e refuzojë organin, ky proces është ende larg përsosmërisë dhe praktikisht mjaft i ndërlikuar.
Procedura është e gjatë, e kushtueshme dhe me rrezik, dhe kërkon dhurues të gjallë, pasi marrësi ka nevojë për kohë për përgatitje. Në këtë rast, studiuesit arritën të shndërrojnë me sukses një veshkë të grupit A në një veshkë të grupit O duke përdorur enzima të veçanta, të identifikuara më parë, që heqin molekulat e sheqerit (antigjenet) që shërbejnë si shenja dalluese të grupit A të gjakut, transmeton Telegrafi.
Studiuesit prodhuan kështu një veshkë të tipit O të konvertuar me anë të enzimave, gati për transplantim, dhe e krahasuan veprimin e këtyre enzimave me “gërshërë” që veprojnë në nivel molekular, duke prerë zinxhirët e antigjeneve të grupit A, ata e shndërrojnë organin në një gjendje pa antigjene A, B apo AB, karakteristikë kjo e grupit O.