Një gol në 10 ndeshje: Roma i vendos në shitje dy sulmuesit

Roma mund të jetë gati të ndahet me të dy qendërsulmuesit e saj të formacionit të parë, Artem Dovbyk dhe Evan Ferguson, gjatë afatit kalimtar të janarit, për shkak të mungesës shqetësuese të golave nga kjo dyshe.

Megjithëse skuadra italiane ndodhet vetëm një pikë larg kreut të tabelës në Serie A, mungesa e golave nga qendërsulmuesit është kthyer në një problem serioz.

Së bashku, Dovbyk dhe Ferguson kanë shënuar vetëm një gol në 10 ndeshje zyrtare këtë sezon (shtatë në Serie A dhe tre në Ligën e Evropës).

Veçanërisht shqetësuese është situata e Fergusonit, i huazuar nga Brightoni, i cili nuk ka shënuar që prej 26 tetorit 2024, kur realizoi në barazimin 2-2 ndaj Wolves. As ai dhe as Dovbyk nuk arritën të gjejnë rrjetën në humbjen 2-1 të Romës në shtëpi kundër Viktoria Plzen në Europa League të enjten mbrëma.

Pas ndeshjes, trajneri Gian Piero Gasperini pranoi se skuadra po vuan në finalizim, duke thënë se ishin të ngadaltë dhe pa efikasitet në momentet vendimtare. Ai shtoi se ka shumë lojtarë që nuk kanë shënuar prej kohësh dhe se secili duhet të reflektojë pse ndodh kjo.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, drejtuesit e Romës po shqyrtojnë seriozisht mundësinë për t’u ndarë nga të dy sulmuesit sapo të hapet merkatoja e dimrit. Raporti i së premtes pretendon se klubi italian i ka sinjalizuar tashmë Brightonit se mund të ndërpresë huazimin e Fergusonit në janar për t’u fokusuar te objektiva të tjerë.

Më herët gjatë javës ishte raportuar se Manchester United po mendon për një huazim të mundshëm të Joshua Zirkzee, që shihet si alternativë për sulmin.

Situata e Dovbyk është paksa ndryshe, pasi Roma investoi 35 milionë euro për të vetëm një vit më parë. Klubi kishte tentuar ta shiste edhe gjatë verës, duke u përpjekur për një shkëmbim me Milanin që përfshinte Santiago Gimenez, por marrëveshja nuk u realizua.

Megjithatë, sipas gazetës italiane, “dera e daljes do të jetë gjerësisht e hapur për Dovbyk në janar”.

Back to top button