Mungesa e kohës – faktor i ri rreziku për demencë

Kur s’kemi kohë për veten, truri paguan çmimin – shkencëtarët paralajmërojnë lidhjen e drejtpërdrejtë mes mungesës së kohës dhe demencës
Koha, apo më saktë mungesa e saj, mund të jetë hallka që mungon në parandalimin e demencës. Një studim i ri tregon se personat që nuk kanë mjaftueshëm kohë për t’u kujdesur për veten janë në rrezik më të madh për rënie njohëse.
Sipas kërkimeve të Qendrës për Plakje të Shëndetshme të Trurit (CHeBA) në Universitetin “New South Wales” në Sidnej, mungesa e kohës mund të ndikojë në zhvillimin e demencës pothuajse njësoj si ushqimi apo aktiviteti fizik.
Studimi, i botuar në revistën The Lancet Healthy Longevity, identifikon kohën si një faktor social ende të pavlerësuar për shëndetin e trurit – potencialisht po aq i rëndësishëm sa arsimi dhe të ardhurat. Autorët theksojnë se “pabarazia kohore”, pra shpërndarja e pabarabartë e kohës ndërmjet grupeve të ndryshme shoqërore, mund të ndikojë ndjeshëm në aftësinë e njerëzve për të ulur rrezikun nga demenca.
Çfarë nënkupton mungesa e kohës për kujdes ndaj vetes?
Për të arritur në këtë përfundim, studiuesit analizuan të dhënat epidemiologjike dhe neurologjike për demencën, si dhe studimet mbi përdorimin e kohës. Ata zbuluan se njerëzit që vuajnë nga mungesa e kohës për kujdes ndaj vetes, gjendje e njohur si “varfëri kohore” – kanë shumë më tepër gjasa të zhvillojnë demencë sesa ata që kanë kohë të mjaftueshme për kujdes personal.
“Sipas provave tona, njeriut i duhen të paktën 10 orë në ditë vetëm për aktivitetet bazë që ruajnë shëndetin e trurit, si gjumi, ushqimi, aktiviteti fizik dhe ndërveprimi shoqëror”, shpjegon Dr. Simon Repermund, bashkautore e studimit në CHeBA.