SHBA dërgon aeroplanmbajtësen më të madhe në ujërat e Amerikës së Jugut

Ushtria amerikane po dërgon një aeroplanmbajtëse në ujërat e Amerikës së Jugut, në përshkallëzimin dhe shtimin e fundit të forcave ushtarake në rajon, njoftoi Pentagoni.
Sekretari i Luftës Pete Hegseth urdhëroi anijen luftarake USS Gerald R. Ford dhe grupin e saj goditës të dislokoheshin në Komandën Jugore të SHBA-së për të “forcuar kapacitetin e SHBA-së për të zbuluar, monitoruar dhe ndërprerë aktorët dhe aktivitetet e paligjshme që kompromentojnë sigurinë dhe prosperitetin e SHBA-së”, njoftoi zëdhënësi i Pentagonit Sean Parnell.
Bëhet e ditur se vendosja e një aeroplanmbajtëseje është një përshkallëzim i madh i fuqisë ushtarake në një rajon që ka parë tashmë një grumbullim jashtëzakonisht të madh të forcave ushtarake amerikane në Detin e Karaibeve dhe në ujërat pranë Venezuelës.
Disa orë para se Parnell të shpallte lajmin, Hegseth tha se ushtria kishte kryer sulmin e saj të 10-të ndaj një anijeje të dyshuar për transport droge, duke lënë gjashtë të vdekur dhe duke e çuar numrin e të vdekurve nga sulmet që filluan në fillim të shtatorit në të paktën 43.
Hegseth tha se anija e goditur gjatë natës operohej nga banda Tren de Aragua.