Kroacia rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak

Parlamenti i Kroacisë ka votuar për të rivendosur shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në një sfond tensionesh të larta në Evropë pas agresionit rus në Ukrainë.

Ligjvënësit miratuan ndryshimet ligjore me 84 vota pro dhe 11 kundër dhe me 30 abstenime në parlamentin me 151 anëtarë.

Bëhet e ditur se tani shërbimi ushtarak do të zgjasë dy muaj dhe do të ofrojë “trajnim bazë ushtarak”.

Ky vendim shënon një rikthim në rekrutimin e detyrueshëm ushtarak, i cili u pezullua në vitin 2008 kur vendi kaloi në një sistem vullnetar.

Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë tha se qëllimi është t’u mësojë të rinjve aftësitë dhe njohuritë themelore që janë “të nevojshme në situata krize, në mënyrë që ata të kontribuojnë në sigurinë kombëtare”.

Autoritetet do të fillojnë t’i thërrasin rekrutët e lindur në vitin 2007 për kontrolle mjekësore deri në fund të vitit.

Back to top button